Mbrapa

Janë zgjedhur tri idetë më kreative për krijimin e një parku të gjelbër me sipërfaqe prej 5000 metra katror

Shkup, 28 tetor 2022 – Dje në objektin e Fakultetit të Arkitekturës u prezantuan vizatimet e studentëve të cilët morën pjesë në konkursin për dizajnimin e “Parkut Pensional” me sipërfaqe prej 5.000 metra katrorë, në kuadër të fushatës “Mbill një dëshirë, për një të ardhme më të mirë” organizuar nga Shoqëria pensionale Sava SHA Shkup, KB shoqëria e parë pensionale SHA Shkup dhe Shoqëria pensionale Trigllav SHA Shkup.

Në këtë konkurs aplikuan me vizatimet e tyre shumë studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Fakultetit të Shkencave Pyjore, Arkitekturës së Peizazhit dhe Eko-Inxhinierisë “Hans Em”, nga të cilët juria përzgjodhi tre më kreativët, ndërsa shoqëritë pensionale i shpërblenë tableta për vizatim. Janë shpërblyer projektet e studentëve Mila Gjorgjevska, Alen Vejseli dhe Perica Kiprijanoviq.

Me këtë rast të pranishmëve iu drejtuan dekanët e dy fakulteteve.

“Faleminderoj iniciativën që ndamë me shoqëritë pensionale me plot entuziazëm dhe energji për manifestimin e sotëm, e cila në një farë mënyre përfundon një proces në të cilin një pjesë e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Pylltarisë u përkushtuan për të menduar ide për një të nesërme më të mirë. Arkitektura është ndoshta një nga profesionet e pakta në të cilën duhet të besosh në të ardhmen. Arkitektët edhe më shumë, duke hartuar projektet, duke krijuar vizionet e tyre, në fakt besojnë se mund të krijojnë një të ardhme më të mirë.

Besoj se me atë që do të bëjmë sot, duke mbjellë 15 fidanë në parkun e Fakultetit të Arkitekturës, po konfirmojmë në mënyrën më të mirë të mundshme besimin e arkitektëve dhe të gjithë studentëve të rinj se mund të krijojmë një të ardhme më të mirë.” – deklaroi prof. Dr. Ognen Marina, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës.

“Megjithëse jam më i moshuari këtu, më besoni se ndihem si ju, i ri dhe fatkeqësisht pensioni që po afrohet është diçka që më shqetëson shumë. Pavarësisht se sa i largët mund të duket pensioni në këtë moment, më besoni se është shumë afër. Ju këshilloj ta mendoni me kohë për këtë që të mos shqetësoheni më vonë kur të vijë koha për të dalë në pension. Një proverbë kineze thotë se dita më e mirë për të mbjellë një dru është 20 vjet më parë, dhe dita e dytë më e mirë është sot.

Jam i lumtur që arritëm ta bëjmë këtë të paktën sot. Lidhur me projektet e dorëzuara, dua të theksoj se komisioni kishte një detyrë vërtet të vështirë sepse të gjitha ishin të cilësisë së lartë, detajet e vogla ndihmuan në zgjedhjen e tre të vendeve të para.”- deklaroi dekani i Fakultetit të Shkencave Pyjore, Arkitekturës së Peizazhit dhe Eko-Inxhinierisë “Hans Em”, prof. Dr Kiril Sotirovski. Shoqëritë pensionale thonë se ky aktivitet është një përmirësim i dukshëm i fushatës edukative që po vazhdon tani më një vit.

“Roli ynë si bartës i reformave të sistemit pensional është që vazhdimisht të punojmë në sensibilizimin dhe edukimin financiar për sistemin e reformuar të pensioneve, me të cilin duam të nxisim interesin, sidomos tek ju të rinjtë, që të përpiqeni të zbuloni sa më shumë rreth asaj se si duket sistemin jonë i reformuar pensional. Nesër kur të largoheni nga këto tavolina do të punësoheni. Me punësimin tuaj do të bëheni anëtarë të detyrueshëm në shtyllën e dytë dhe keni të drejtë të zgjidhni shoqërinë tuaj pensionale. Punëdhënësi juaj në bazë të SPI-së do të paguajë 18.8% të pagës bruto, nga të cilat 12.8% do të mbeten në shtyllën e parë, dhe 6% do të ndahen në llogarinë tuaj individuale në fondin e pensionit të detyrueshëm dhe të njejtat do të përdoren vetëm për pagesën e pensionit tuaj.

Ne jemi të gjithë pensionistë të ardhshëm, të cilët sigurisht që sot duhet të fillojmë të mendojmë jo vetëm për stabilitetin e tyre financiar në të ardhmen, por edhe të përpiqemi të kontribuojmë për një mjedis jetese më të mirë në të cilin do të shijojmë pleqërinë tonë.

Çdo dru i vetëm është investim në të ardhmen, prandaj planifikoni të ardhmen tuaj, sot, në mënyrë që të siguroni siguri dhe stabilitet në ditët tuaja të pensionit”, tha në fjalimin e tij drejtuar studentëve, Predrag Milloshevski, anëtar i Bordit Drejtues të KB shoqëria e parë pensionale SHA Shkup.

“Sot, duke i parë arritjet tuaja, ndihem krenar sepse mendoj se të paktën për një moment arritëm t’ju largojmë nga përditshmëria dhe t’ju transportojmë në të ardhmen. Edukimi përmes fushatave ndërgjegjësuese është një mjet i fuqishëm veçanërisht kur bëhet fjalë për produkte ku përfitimi i përdorimit të tyre vjen shumë më vonë. Si shoqëri pensionale, ne jemi të bashkuar në idenë se vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të afirmojmë veten dhe të lëmë gjurmë që më vonë do të pasqyrohet në disa vlera të përhershme për të mirën e të gjithëve ne.

Ideja për organizimin e këtij konkursi dhe përfshirja e studentëve përfaqëson një përmirësim domethënës në mesazhin bazë të fushatës sonë “Mbill një dëshirë, për një të ardhme më të mirë” të cilën e filluam vitin e kaluar në drejtim të afrimit të marrëdhënieve me sistemin pensional qëndrueshmërisë së tij në kontekstin e së ardhmes së gjeneratave të të rinjve dhe nivelin e vetëdijes sociale që ata zhvillojnë.” – theksoi me këtë rast M.S. Marijan Nikolovski, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Shoqërisë Pensionale Trigllav SHA Shkup.

Në këtë temë me fjalimin e tij u ndërlidh edhe Kosta Ivanovski anëtar i Bordit të Drejtorëve të Shoqërisë pensionale Sava SHA Shkup. “Para meje kam inxhinierë të ardhshëm, arkitektë, urbanistë, projektues parqesh, profesione të bazuara në parashikim dhe planifikim.

Pa ju dhe punën tuaj, nuk është e mundur të pritet që njerëzimi të gëzojë ndërtesa cilësore, mjedise urbane cilësore, infrastrukturë cilësore dhe të dobishme të trafikut me plan afatgjatë. Ajo që dua t’ju theksoj sot është se suksesi në menaxhimin e financave personale varet kryesisht nga një planifikim i mirë. Të dashur studentë, ju jeni pjesë e gjeneratës së ardhshme, e cila ka qasje në shumë informacione për edukimin tuaj financiar.

Ju duhet të përfitoni nga kjo dhe të planifikoni me kohë se si të bëheni fitues dhe të menaxhoni me sukses financat tuaja personale. Veprimi ynë sot nuk është vetëm shprehje e përgjegjësisë sociale të shoqërive të pensioneve dhe e veprimtarisë në drejtim të një të ardhmeje të qëndrueshme. Ky aksion paraqet edhe një investim të përbashkët afatgjatë për një Shkup më të bukur, më të pastër dhe më të gjelbër.

Ashtu si këtyre drunjëve do t’i duhen dekada për t’u rritur në madhësinë optimale për të kontribuar me të vërtetë për një Shkup më të pastër dhe më të gjelbër, ashtu edhe kursimet tona të pensionit do të kenë nevojë për të gjithë jetën tonë të punës për të formuar ditë pa brenga në moshën e pjekur të jetës sonë.” – deklaroi ai.

Pas ndarjes së çmimeve, përfaqësuesit e shoqërive pensionale së bashku me studentët mbollën në oborrin e fakultetit një “Park Pensional”, si simbol i përfitimeve afatgjata të çdo veprimi të sotëm të ndërmarrë në drejtimin e duhur.

Parku i mbjellë dje është “Parku Pensional” i nëntë dhe i fundit i “Mbill një dëshirë” për këtë vit, por shoqëritë pensionale disa herë deri më tani kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të përpiqen për ndërmarrë sa më shumë aktivitete të tilla me përgjegjësi sociale.

Të gjitha informatat dhe aktivitetet në lidhje me fushatën “Mbill një dëshirë, për një të ardhme më të mirë!” janë të disponueshme në ueb faqen www.penzija.mk 

Mbikëqyrës i sigurimit pensional me financim kapital është Agjensioni për mbikëqyrjen e finansimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) www.mapas.mk tel. 02/32 24 229