
Pse është e rëndësishme t’i kuptoni termat pensionalë?
Kur je i ri, pensioni duket si diçka që do të ndodhë shumë larg në të ardhmen. Por pikërisht sepse duket kaq i largët, shumë njerëz e humbin mundësinë për t’i kuptuar në kohë konceptet pensionalë.
Kursimet për pension ndërtohen tani, sot, që nga punësimi i parë, sepse kur të vijë koha e pensionimit, nuk do të kesh më shumë mundësi për të bërë ndryshime. Me punësimin e parë vjen edhe vendimi i parë – në cilën shoqëri pensionale dëshiron të anëtarësohesh. Nëse nuk e merr këtë vendim brenda tre muajve nga punësimi, do të caktohesh automatikisht në njërën prej shoqërive pensionale: KB Shoqëria e Parë Pensionale, Sava Shoqëria Pensionale apo Triglav Shoqëria Pensionale.
Sapo të bëhesh anëtar i një fondi pensional, 6% e pagës tënde bruto çdo muaj derdhet në llogarinë tënde personale në fondin tënd të pensionit (shtylla e dytë). Një herë në vit do të marrësh Zarf të Gjelbër – letër (në formë të shtypur ose elektronike) me raport mbi mjetet e kursimeve të tua pensionale personale – ku janë investuar, sa tarifa janë paguar dhe çfarë fitimi është realizuar.
Prandaj themi se edukimi në kohë dhe vendimet e informuara që merr sot janë hapi i parë drejt një të ardhmeje të sigurt.
Si funksionon sistemi ynë pensional?
Në Maqedoni ekzistojnë dy shtylla të detyrueshme pensionale. Kur punësohesh, punëdhënësi yt paguan kontribute në të dyja shtyllat.
- Shtylla e parë është shtetërore – ajo bazohet në solidaritetin ndërbreznor. Do të thotë që 12,8% e pagës bruto të të punësuarve aktualë shkon në Fondin e PIO-së për pagesën e pensioneve të pensionistëve aktualë, ndërsa për ty regjistrohet stazh pune i paguar në një nivel të caktuar.
- Shtylla e dytë është llogaria jote personale e pensionit, në të cilën transferohen 6% e pagës tënde bruto – një pjesë e vogël e pagës së sotme, e destinuar për të ardhmen tënde. Këto mjete investohen me kujdes dhe nën mbikëqyrje nga shoqëritë pensionale, për të rritur vlerën e kursimeve të tua me kalimin e viteve.
Pse duhet të jesh në hap me termat pensionalë?
Sepse sistemi funksionon në emrin dhe në dobi tënde. Sa më herët të kuptosh kuptimin e termave si llogari individuale, kontribut, fitim, diversifikim etj., aq më lehtë do të mund ta ndjekësh dhe ta kuptosh procesin nëpër të cilin kalojnë mjetet e tua.
T’i kuptosh termat pensionalë nuk do të thotë të bëhesh ekspert financiar. Do të thotë thjesht të njohësh termat bazë dhe të dish çfarë qëndron pas tyre. Për shembull:
- kur dëgjon për shtyllën e dytë, ta dish se ajo është kursimi yt personal;
- kur dëgjon për shoqëri pensionale, ta dish se ajo është institucioni që investon mjetet e tua;
- kur dëgjon për fond pensional, ta dish se aty mblidhen kontributet e tua dhe rritet vlera e tyre.
Sa më herët të informohesh, aq më shumë mund të ndikosh në mënyrën se si do të duket siguria jote financiare në të ardhmen. Prandaj e krijuam edhe fjalorin digjital të termave pensionalë – një vend ku gjithçka është shpjeguar në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme, në mënyrë që të fillosh në kohë të ndërtosh një të ardhme të qëndrueshme për veten tënde.
Me hapa të vegjël sot, mund të bësh një ndryshim të madh në të ardhmen.
Mbikëqyrës i sigurimit pensional me financim kapital është Agjensioni për mbikëqyrjen e finansimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) www.mapas.mk tel. 02/32 24 229