Këshilla financiare që duhet t’i dish
Dhjetori është periudha kur të gjithë bëjmë lista të ndryshme: çfarë të përfundojmë deri në fund të vitit, çfarë duam të arrijmë në vitin e ri, cilave dëshira dhe synimeve duam t’u përkushtohemi. Pikërisht për këtë arsye, tani është momenti i duhur të rikujtojmë një nga pikat më të rëndësishme që duhet të jetë lart në listën tonë – siguria financiare për të ardhmen.
Duke pasur parasysh se çdo i punësuar në Maqedoni ka një llogari personale në shtyllën e dytë pensionale, le të rikujtojmë se çfarë duhet të dimë për mjetet që i ndërtojmë prej vitesh. Ekspertët nga shoqëritë tona pensionale veçojnë disa këshilla vërtet të dobishme që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë se si funksionon sistemi dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen tënde.
Raporti vjetor pensional është mënyra më e mirë për të ndjekur mjetet e tua
Si anëtar i një fondi pensional të detyrueshëm, një herë në vit merr një raport nga MAPAS-i ose nga shoqëria jote pensionale. Në të mund të shohësh:
- sa mjete ke në fondin tënd,
- të gjitha pagesat dhe tërheqjet nga llogaria jote personale,
- sa kanë qenë kthimet gjatë vitit,
- cilat shpenzime janë ngarkuar,
- ku janë investuar kursimet pensionale të anëtarëve të fondeve.
Ky raport është dokumenti më i rëndësishëm për kursimin tënd pensional dhe hapi më i thjeshtë që duhet të ndërmarrësh. Ndaj pak kohë për ta lexuar. Ndjekja e raporteve nuk kërkon njohuri të avancuara financiare, por nëse diçka nuk të është e qartë, shoqëria jote pensionale është gjithmonë në dispozicion për t’u përgjigjur të gjitha pyetjeve.
Kontrollo gjendjen e llogarisë online
Në raportin që merr me Zarfin e Gjelbër gjenden edhe informacione për platformën online të shoqërisë sate pensionale, ku mund të kyçesh me emër përdoruesi dhe PIN dhe të shohësh:
- gjendjen aktuale të llogarisë,
- pagesat mujore,
- kthimet e realizuara,
- të përditësosh të dhënat personale, etj.
Kjo është mënyra më e shpejtë për të pasur pasqyrë mbi rritjen e mjeteve të tua, e cila është e disponueshme në çdo kohë.
Mëso çfarë përfaqëson saktësisht shtylla e dytë për ty
Një pjesë e qytetarëve të punësuar ende mendojnë se shtylla e dytë është thjesht një formalitet me të cilin merren punëdhënësit dhe shteti. Por ajo është shumë më tepër se kaq.
Shtylla e dytë përfaqëson kursimin tënd personal, i cili:
- paguhet çdo muaj nga një pjesë e pagës sate bruto,
- investohet sipas rregullave strikte të përcaktuara me ligj,
- ruhet në llogarinë tënde individuale,
- është e ndarë nga pasuria e shoqërisë pensionale,
- është nën mbikëqyrjen e MAPAS-it dhe të shtetit.
Kjo do të thotë se mjetet e tua janë të mbrojtura me disa nivele kontrolli dhe mund të përdoren ekskluzivisht për pensionin tënd personal. Mbaje mend: shtylla e dytë nuk është “një sistem shtetëror” – ajo është kursimi yt privat pensional.
Informohu për opsionet e pagesës që para pensionimit
Kur të vijë koha e pensionimit, mjetet nga shtylla e dytë mund të shfrytëzohen në disa mënyra të përcaktuara me ligj, nga të cilat varet se si do të shpërndahet kursimi yt.
Sapo të fillosh t’i afrohesh moshës së pensionit, fillo të informohesh dhe të konsultohesh me shoqërinë tënde pensionale, e cila ka detyrimin të të informojë për të gjitha opsionet e pagesës. Nuk ka zgjidhje universale që u përshtatet të gjithëve – zgjidhja më e mirë përcaktohet sipas nevojave dhe rrethanave individuale.
Shoqëria jote pensionale dhe MAPAS-i janë gjithmonë aty për të të ndihmuar
Sistemi pensional është një nga sistemet më të rregulluara në vend. Prandaj është e rëndësishme të dish se:
- çdo anëtar ka të drejtë të informohet,
- çdo problem zgjidhet në mënyrë formale dhe të dokumentuar,
- çdo pyetje mund t’i drejtohet drejtpërdrejt shoqërisë pensionale,
- MAPAS-i mbikëqyr vazhdimisht përmbushjen e të gjitha detyrimeve.
Ndiqi raportet dhe njoftimet e rregullta të shoqërive pensionale dhe MAPAS-it, bëj pyetje dhe kërko këshilla se si të sigurosh një të ardhme të qëndrueshme. Komuniko hapur me institucionet përgjegjëse për kursimin tënd pensional. Ke të drejtë dhe mundësi të marrësh informacione të sakta dhe të qarta.
Mjetet për pension nuk janë shpenzim – përkundrazi, janë investim për të ardhmen tënde
Çdo muaj, me çdo pagesë në shtyllën e dytë ndërtohet kursimi yt pensional. Nëse punëdhënësi yt nuk ka një skemë pensionale për pagesa shtesë në shtyllën e tretë, shqyrto mundësitë për të paguar vetë një shumë që mund ta përballosh në baza mujore ose herë pas here, kur ke mundësi. Ky investim do të të sigurojë stabilitet financiar në vitet kur do të të nevojitet më shumë. Pensioni nuk fitohet në fund të karrierës – ai ndërtohet gjatë gjithë karrierës.
Mbikëqyrës i sigurimit pensional me financim kapital është Agjensioni për mbikëqyrjen e finansimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) www.mapas.mk tel. 02/32 24 229