Asociacioni i Shoqërive për Menaxhimin e Fondeve Pensionale e mbajti konferencën e saj të parë “Sistem i qëndrueshëm pensional – dy dekada progres”
Këtë vit shënohen 20 vjet nga reforma e sistemit pensional në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi të qëndrueshëm, transparent dhe stabil për të ardhmen e qytetarëve.
Me këtë rast, Asociacioni i sapoformuar i Shoqërive për Menaxhimin e Fondeve Pensionale të Maqedonisë së Veriut, i themeluar nga KB Shoqëria e parë pensionale SHA Shkup, Sava Shoqëria pensionale SHA Shkup dhe Triglav Shoqëria pensionale SHA Shkup, organizoi aktivitetin e tij të parë publik – konferencën ndërkombëtare “Sistem i qëndrueshëm pensional – dy dekada progres”, e cila u mbajt më 12 nëntor në hotel Marriott, Shkup.
Konferenca mblodhi ekspertë të shquar nga institucionet vendore dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues të lartë të ministrive përgjegjëse në Qeveri, të cilët përshëndetën themelimin e Asociacionit dhe theksuan rëndësinë dhe rolin e sigurimit pensional të financuar me kapital për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e pensioneve të ardhshme.

Me fjalë hyrëse, evenimentin e hapën:
- Marijan Nikolovski, Kryetar i Asociacionit të Shoqërive për Menaxhimin e Fondeve Pensionale të Maqedonisë së Veriut
- Dr. Fatmir Sabriu, Sekretar Shtetëror (Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë)
- Darko Sazdov, Anëtar i Këshillit të Ekspertëve – Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional të Financuar me Kapital – MAPAS
- Nikola Memov, Drejtor – Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë së Veriut
evenimenti u pasurua me prezantimet e përfaqësuesve të njohur nga institucionet dhe komuniteti ndërkombëtar:
- Prof. Dr. Nikolçe Jankulovski, Zëvendësministër në Ministrinë e Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut
- Prof. Dr. Lazar Jovjevski, Këshilltar për Çështje të Punës dhe Politikës Sociale i Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut
- Fiona Elizabeth Stewart, Udhëheqëse Globale për Sigurime dhe Pensione, Banka Botërore, SHBA
Çështjet kyçe u ndërthurën gjatë katër diskutimeve në panele – reforma pensionale në Maqedoninë e Veriut; përfitimet nga 20 vitet e fundit të sistemit pensional të reformuar; rregullativa, mundësitë e ardhshme dhe alternativat; rregullimi i portofolit, pagesat dhe lidhjet makroekonomike; si dhe gjatë tryezës së rrumbullakët, ku u zhvillua një diskutim i hapur mes panelistëve dhe pjesëmarrësve, me fokus në çështjet e pazgjidhura, rekomandimet praktike për politika dhe drejtimet strategjike, përmbledhjen e mesazheve kryesore dhe hapat e ardhshëm për industrinë pensionale dhe rregullatorët.
Në panel diskutimet morën pjesë:
- Nikolas Firzli (World Pension Council, Francë)
- Julija Ber (World Bank)
- Miroslav Marinov (PAC Doverie AD, Bullgari)
- Marjan Petreski (American College, Maqedonia e Veriut)
- Vesna Stojanovska (KB Prvo Shoqëria Pensionale, Maqedonia e Veriut)
- Mati Lepala (EIOPA, Finlandë)
- Todor Lilov (Budeshte, Bullgari)
- Goran Kralj (PBZ Croatia, Kroaci)
- Darko Sazdov (MAPAS, Maqedonia e Veriut)
- Madalina Andrei (BT Pensii, Rumani)
- Petar Vlaić (Erste, Kroaci)
- Dijana Bojceta (Croatian Association, Kroaci)
- Borçe Trenovski (Fakulteti Ekonomik Shkup, Maqedonia e Veriut)
- Evelina Miltenova (Bulgarian Association, Bullgari)
- Izabela Adilkhanjan (C-Quadrat Ampega, Armeni)
- Tatjana Bojkovska (Sava Shoqëria Pensionale, Maqedonia e Veriut)
- Fiona Stewart (World Bank)
- Eva Horvat (Raiffeisen Mirovinski Fond, Kroaci)
- Dr. Petar Taleski (Sava Shoqëria Pensionale, Maqedonia e Veriut)
- Jehona Ramadani (Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Maqedonia e Veriut)
- Levan Verdzuli (GFMTA – EBRD, Gjeorgji)
Gjatë konferencës u diskutuan temat më të rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm të sistemit pensional, ndër të cilat: përfitimet nga reforma, sfidat demografike dhe ekonomike, strategjitë investuese, diversifikimi i portofolit, çështjet rregullatore dhe roli i sistemit pensional në zhvillimin e tregut të kapitalit dhe stabilitetin social.
Pjesëmarrësit e theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive.

“Mbajtja e konferencës së parë ndërkombëtare, me të cilën shënuam edhe dy dekada nga reforma pensionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përfaqëson një hap të rëndësishëm në misionin tonë për krijimin e një sistemi pensional të qëndrueshëm, të sigurt dhe modern, që do të sigurojë stabilitet afatgjatë dhe zhvillim ekonomik. Konferenca tregoi se nëpërmjet bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe përkushtimit të përbashkët mund ta forcojmë sistemin pensional dhe rolin e tij në shoqëri.
Kjo është vetëm fillimi i angazhimit tonë të vazhdueshëm; ne vazhdojmë me iniciativa për përmirësimin e profesionalizmit, transparencës dhe besimit në sistem, si dhe me aktivitete të orientuara drejt edukimit financiar dhe rritjes së vetëdijes së qytetarëve.
Asociacioni, shoqëritë pensionale, rregullatori dhe të gjithë aktorët e tjerë mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj ndërtimit të një sistemi pensional stabil dhe të qëndrueshëm në interes të gjeneratave të sotme dhe të ardhshme”, deklaroi Kryetari i Asociacionit dhe Anëtar i Bordit Drejtues të Triglav Shoqërisë Pensionale SHA, Marijan Nikolovski.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Vesna Stojanovska, kryetare e Bordit Drejtues të KB Prvo Shoqërisë Pensionale SHA Shkup dhe zëvendëskryetare e Asociacionit të Shoqërive Pensionale për Menaxhimin e Fondeve Pensionale të RMV-së, e cila theksoi edhe një perspektivë kritike mbi sfidat aktuale dhe qëndrueshmërinë e ardhshme të sistemit pensional.
“Pesë sfida të ndërlidhura me të cilat përballet sistemi pensional në vend janë – ndryshimet demografike dhe presioni në tregun e punës, deficitët financiarë, adekuatësia dhe drejtësia e pensioneve, ekonomia joformale me mbulim të kufizuar, si problemet kryesore me të cilat përballet sistemi pensional i Maqedonisë së Veriut. Për të ruajtur stabilitetin financiar dhe adekuatësinë e pensioneve, është e nevojshme që sistemi të përshtatet me realitetet e reja përmes reformave të mirëplanifikuara dhe të ndërmarra me kohë. Modelet më të suksesshme të fondeve pensionale sigurojnë ekuilibër ndërmjet qëndrueshmërisë financiare, standardit të denjë të jetesës dhe drejtësisë ndërmjet gjeneratave, duke u mbështetur në disa burime financimi.
Shoqëritë pensionale gjatë 20 viteve të fundit kanë treguar menaxhim të suksesshëm me mjetet e pensionistëve të ardhshëm, duke realizuar kthime mesatare vjetore prej 5.7%. Pavarësisht kornizës kufizuese, e cila nuk është ndryshuar që nga fillimi i funksionimit të fondeve pensionale, në kushtet e mundësive të rritura investuese dhe horizontit të gjerë të investimeve, kthimet janë në nivel të fondeve të njohura evropiane. Dëshmi për menaxhimin e suksesshëm të fondeve pensionale janë edhe çmimet e marra gjatë viteve të fundit nga institucioni prestigjioz evropian Investment and Pension Europe.”

Në një vlerësim mbi konferencën, Snezana Stankoviq, kryetare e Bordit Drejtues të Sava Shoqërisë Pensionale SHA Shkup, shtoi:
“Me një krenari të veçantë mund të themi se konferenca ‘Sistem i qëndrueshëm pensional – 20 vjet progres’ ishte një sukses i madh. Ky event nuk ishte vetëm shënim i një jubileu, por edhe dëshmi se vizioni për një sistem pensional modern maqedonas, që filloi para dy dekadave, sot është realitet. Në konferencë morën pjesë të gjitha institucionet që janë pjesë e sistemit pensional, si dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Veçanërisht me rëndësi ishte prania e mysafirëve nga vende si Franca, Finlanda, Kroacia, Bullgaria, Gjeorgjia, Armenia dhe Rumania, si dhe përfaqësues nga Banka Botërore, EIOPA dhe PensionsEurope. Kjo është dëshmi se puna jonë njihet edhe në nivel ndërkombëtar.
Mesazhi kyç që të gjithë e theksuan është i qartë: qëndrueshmëria e sistemit pensional nuk është veprim i njëhershëm, por një detyrim i vazhdueshëm. Ndryshimet demografike, plakja e popullsisë dhe niveli i akumulimit të mjeteve janë sfida që kërkojnë monitorim të përhershëm dhe përshtatje. Prandaj, duhet ta forcojmë modelin e financuar me kapital dhe të mësojmë nga praktikat botërore, si pozitive ashtu dhe negative. Qëllimi ynë është i qartë – një sistem pensional i qëndrueshëm, i sigurt dhe i drejtë për të gjithë qytetarët. Jemi të bindur se me punë të përbashkët të shtetit, rregullatorëve dhe shoqërive pensionale do të vazhdojmë ta forcojmë sistemin që siguron stabilitet për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.”
Çfarë më tej?
Në këtë konferencë të parë ndërkombëtare, ku morën pjesë 15 ekspertë të huaj dhe 13 vendas dhe të cilën e vizituan mbi 200 të ftuar, nëpërmjet katër panel diskutimeve dhe bisedave joformale mes pjesëmarrësve, u tregua se tre shoqëritë pensionale, përmes Asociacionit, vendosën një platformë të rëndësishme për bashkëpunim të mëtejshëm dhe shkëmbim përvojash mes ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë. Konferenca e konfirmoi rolin e Asociacionit si platformë për zhvillim profesional, transparencë dhe standarde etike në sektorin pensional. Ajo gjithashtu shënoi fillimin e një iniciative më të gjerë për forcimin e sistemit pensional nëpërmjet bashkëpunimit të vazhdueshëm, edukimit dhe inovacioneve.
Në periudhën e ardhshme, Asociacioni do të nisë aktivitete të orientuara drejt:
- Trajnimit profesional dhe zhvillimit të kuadrit në industri
- Programeve për edukim financiar të qytetarëve
- Hartimit të politikave në bashkëpunim me institucionet dhe rregullatorët
- Organizimit të konferencave dhe forumeve të ardhshme për promovimin e praktikave të mira
Kjo konferencë e parë, e cila i vuri në pah rezultatet e deritanishme, ishte një sinjal i qartë për përkushtimin e industrisë ndaj ndërtimit të një sistemi pensional të qëndrueshëm, të fortë dhe perspektiv për gjeneratat e ardhshme.
Mbikëqyrës i sigurimit pensional me financim të plotë është Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimeve Pensionale me financim të plotë (MAPAS). www.mapas.mk тел. 02/ 32 24 229
