Pension për freelancerë?
Gjithnjë e më shumë të rinj tek ne fitojnë të ardhura përmes punës me honorarë, projekteve të huaja apo bashkëpunimeve remote, kryesisht për shkak të lirisë që ofron ky stil i punës – zgjedhje e pavarur e klientëve dhe detyrave, orar fleksibël dhe kontroll më i madh mbi vlerësimin e punës së tyre.
Por kjo liri ka edhe një anë tjetër – nuk ka një punëdhënës klasik që çdo muaj paguan kontribute pensionale. Kjo do të thotë se freelancerët vetë duhet të kujdesen për stabilitetin e tyre financiar në të ardhmen.
Kësaj nevoje i përgjigjet shtylla e tretë pensionale, si një kursim vullnetar që u qëndron në dispozicion freelancerëve, të punësuarve dhe të gjithë qytetarëve të moshës 15 deri në 70 vjeç, të cilët dëshirojnë të sigurojnë një shtresë të shtuar të sigurisë financiare.
Në kuadër të Ditëve të Edukimit Financiar, përmes këtij teksti japim një kontribut të vogël drejt përmirësimit të njohurive për sistemin pensional – temë me rëndësi të veçantë për të gjithë neve.
Pse duhet që pensioni të jetë i rëndësishëm për freelancerët?
Kur nuk ka pagë formale dhe marrëdhënie të rregullt pune, nuk ka as kontribute të paguara që sigurojnë mbrojtje financiare pas përfundimit të jetës aktive. Të ardhurat mund të jenë të paqëndrueshme – një muaj shumë të mira, një tjetër më të ulëta – dhe kjo e bën të ardhmen të pasigurt nëse nuk planifikohet me kohë.
Pikërisht për këtë arsye, freelancerët që e vlerësojnë lirinë kanë nevojën më të madhe të ndërtojnë një sistem vetjak sigurie.
Çfarë është saktësisht shtylla e tretë?
Shtylla e tretë është sigurim pensional vullnetar, i financuar me kapital. Thënë më thjeshtë: është një mënyrë që çdo njeri të krijojë vetë kursimin e tij për pension, përmes një fondi pensional, brenda sistemit pensional.
Kush mund të jetë anëtar i shtyllës së tretë?
Anëtar mund të bëhet çdo person i moshës 15 deri në 70 vjeç. Kjo përfshin nxënës, studentë, freelancerë, të punësuar, artistë të pavarur – pra praktikisht çdokush që dëshiron të kursejë vetë për vitet e pensionit.
Kush mund të bëjë pagesa?
- vetë personi (freelanceri, i punësuari, qytetari),
- një person tjetër fizik në cilësinë e paguesit,
- punëdhënësi ose një shoqatë qytetare përmes skemës profesionale pensionale,
- prindi/kujdestari, nëse llogaria është në emër të një të mituri.
Sa mund të paguhet?
Nuk ka shumë minimale apo ritëm të detyrueshëm pagesash. Secili vendos vetë:
- një shumë të vogël, por rregullisht,
- herë pas here, kur të ardhurat janë më të larta,
- të kombinuara – p.sh. një shumë simbolike mujore + një pagesë më e madhe pas përfundimit të një projekti të madh.
Kur mund të përdoren mjetet?
Mjetet nga llogaria e shtyllës së tretë mund të përdoren më herët 10 vite para moshës së pensionit të pleqërisë, që aktualisht do të thotë rreth 54 vjeç për burrat dhe 52 për gratë, ose edhe më herët në rast të paaftësisë së përgjithshme për punë të vërtetuar.
Si paguhet kursimi?
Më së shpeshti, kursimi paguhet si shumë e plotë njëherësh, por ekzistojnë edhe opsione të tjera ligjore në kombinim me shtyllat e tjera pensionale. Për më shumë detaje, mund të kontaktoni një nga shoqëritë tona: Shoqëria pensionale Sava SHA Shkup, KB shoqëria e parë pensionale SHA Shkup dhe Shoqëria pensionale Trigllav SHA Shkup.
Si u ndihmon freelancerëve shtylla e tretë?
Për freelancerët, shtylla e tretë është praktikisht një pension i personalizuar. Nuk ka detyrim pagesash mujore, anëtarësia nuk ndërpritet nëse për një periudhë nuk ka pagesa, kursimet investohen dhe rriten, mjetet grumbullohen në një llogari personale të ndarë nga pasuria e shoqërisë pensionale dhe ruhen në një bankë–ruajtëse të pasurisë, nën mbikëqyrjen e MAPAS-it.
Ky mekanizëm i kursimit mundëson ndarjen e mjeteve pa e rënduar standardin mujor të jetesës, ndërsa me kalimin e viteve krijon një kursim të rëndësishëm.
A është i dobishëm edhe për të rinjtë e punësuar?
Përveç freelancerëve, shtylla e tretë është po aq e vlefshme edhe për të rinjtë e punësuar. Përmes kontributeve të detyrueshme ata tashmë krijojnë kursimin e tyre në shtyllën e dytë, ndërsa shtylla e tretë u mundëson të shtojnë vullnetarisht edhe një nivel shtesë sigurie, me shumë dhe ritëm sipas zgjedhjes së tyre. Gjithashtu, punëdhënësi mund të organizojë skemë profesionale pensionale dhe të bëjë pagesa në llogarinë e tyre.
Pavarësisht moshës ose llojit të angazhimit tuaj aktual, është shumë e rëndësishme të njihni mundësitë, të drejtat dhe detyrimet tuaja brenda sistemit pensional, sepse bëhet fjalë për të ardhmen tuaj.
Lexoni përgjigjet për pyetjet e shpeshta, shfletoni fjalorin e termave pensionalë dhe kontaktoni një nga tre shoqëritë pensionale.
Pensioni nuk duhet të jetë diçka e largët dhe e paqartë. Mund të jetë një vendim i mençur që e merrni që në të ardhurat e para.
Mbikëqyrës i sigurimit pensional me financim kapital është Agjensioni për mbikëqyrjen e finansimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) www.mapas.mk tel. 02/32 24 229