Skip to content
15.12.2025

Pensioni juaj është një investim për ju dhe për më të dashurit tuaj

Kur mendojmë për të ardhmen, zakonisht e shohim veten duke realizuar dëshira, duke përmbushur plane dhe duke ecur drejt qëllimeve që i vendosim vetes. Megjithatë, rrallë kush e vendos sigurinë pensionale lart në këtë listë. E pikërisht kjo siguri, dhe gjithçka që ajo përfaqëson, ndikon jo vetëm tek ne, por edhe tek njerëzit që i duam.

Në kuadër të sistemit pensional në Maqedoninë e Veriut, kursimet që krijoni përmes shtyllës së dytë dhe të tretë përbëjnë kapitalin tuaj personal. Ky është një pasuri që nuk i përket asnjë institucioni, kompanie apo punëdhënësi, por vetëm juve. Njëkohësisht, ai përfaqëson një pjesë të rëndësishme të së ardhmes financiare të familjes suaj – diçka që mund të bëjë një ndryshim të madh në momentet kur stabiliteti është më i nevojshëm.

Shtylla e dytë: kapitali juaj personal, i mbrojtur me ligj

Çdo muaj, një pjesë e pagës suaj bruto derdhet automatikisht në shtyllën e dytë pensionale. Këto mjete ruhen në një llogari individuale të hapur në emrin tuaj. Ato nuk mund të merren as nga kompania ku punoni, as nga shteti, e as nga shoqëria pensionale ku depozitohen.

Ky kapital ruhet nga një bankë kujdestare dhe është i ndarë nga pasuria e shoqërive pensionale. Ai i nënshtrohet një mbikëqyrjeje të rreptë – kontroll të përditshëm nga MAPAS dhe nga institucione të tjera shtetërore. Ligji e mbron qartë nga përmbarimi, që do të thotë se nuk mund të bllokohet, konfiskohet apo përdoret për shlyerjen e çfarëdo detyrimi. Kursimi juaj mbetet në llogarinë tuaj deri në momentin kur plotësohen kushtet për pagesë.

Në thelb, shtylla e dytë është një nga mekanizmat financiarë më të sigurt në sistem – i qëndrueshëm, personal dhe i mbrojtur.

Shtylla e tretë: kursim fleksibël për planet tuaja personale dhe familjare

Për ata që dëshirojnë të krijojnë edhe më shumë stabilitet – qoftë për shkak të të ardhurave të ndryshueshme apo për nevojën për siguri shtesë – shtylla e tretë ofron fleksibilitet të veçantë. Anëtar mund të bëhet çdo person nga 15 deri në 70 vjeç, ndërsa shuma dhe dinamika e pagesave janë plotësisht sipas zgjedhjes personale. Pagesat mund të ndërpriten, vazhdohen ose ndryshohen pa asnjë pasojë.

Më së shpeshti, mjetet nga shtylla e tretë paguhen njëherësh, duke u dhënë anëtarëve liri të madhe për t’i përdorur në momentin kur u nevojiten më shumë. Ashtu si shtylla e dytë, edhe ky kursim i nënshtrohet të njëjtit sistem mbikëqyrjeje, për të garantuar që ai të jetë plotësisht personal, i mbrojtur dhe transparent.

Shtylla e tretë është veçanërisht e rëndësishme për ata që dëshirojnë të krijojnë një mbështetje shtesë për vitet e pjekurisë, apo edhe më herët, nëse plotësohen kushtet ligjore.

Pensioni si trashëgimi                                                                                                                     

Si zhvillohet procedura e trashëgimisë në shtyllën e dytë?

E drejta e trashëgimisë së mjeteve të depozituara në fondin e detyrueshëm pensional është e mundur vetëm në rast të vdekjes së parakohshme të anëtarit të fondit pensional, në përputhje me Ligjin dhe vetëm nëse nuk ka anëtarë të familjes që kanë të drejtë për pension familjar. Në këtë rast, mjetet e akumuluara në llogarinë individuale të anëtarit të ndjerë i nënshtrohen procedurës trashëgimore dhe trajtohen në përputhje me Ligjin për Trashëgiminë.

Procedura zhvillohet si më poshtë:

  1. Anëtarët e familjes së personit të ndjerë i drejtohen Shoqërisë me një Kërkesë për gjendjen e llogarisë;
  2. Me dokumentin mbi gjendjen e llogarisë hapet procedura trashëgimore pranë organit kompetent (gjykatë, noter), njësoj si për çdo lloj tjetër pasurie;
  3. Trashëgimtarët dorëzojnë kërkesë për pagesë dhe Vendimin për procedurën trashëgimore pranë Shoqërisë pensionale ku i ndjeri ka qenë anëtar;
  4. Shoqëria pensionale e njofton MAPAS-in, i cili verifikon gjendjen në PIOSM (nëse dikush ka paraqitur kërkesë për pension familjar);
  5. Pas konfirmimit, mjetet u paguhen trashëgimtarëve ligjorë, të cilët marrin edhe njoftim me shkrim.

Procedura është formale, e sigurt dhe e rregulluar. Çdo institucion ka rol të qartë, me qëllim që mjetet të arrijnë tek personat që kanë të drejtë ligjore për to.

Në rast se anëtari i ndjerë ka anëtarë familjeje që kanë fituar të drejtën për pension familjar në përputhje me Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, kryhet verifikim institucional për të përcaktuar nga cila shtyllë pensionale pensioni familjar do të ishte më i lartë. Nëse llogaritja e pensionit familjar nga shtylla e dytë rezulton më e favorshme, anëtarët e familjes kanë të drejtë të heqin dorë nga pensioni familjar nga shtylla e parë dhe të përfitojnë vetëm pension familjar nga shtylla e dytë.

Si zhvillohet procedura e trashëgimisë në shtyllën e tretë?

E drejta e trashëgimisë së mjeteve të depozituara në fondin vullnetar pensional është e mundur vetëm në rast të vdekjes së parakohshme të anëtarit të fondit pensional dhe trajtohet në përputhje me Ligjin për Trashëgiminë.

Procedura zhvillohet si më poshtë:

  1. Anëtarët e familjes së personit të ndjerë i drejtohen Shoqërisë me një Kërkesë për gjendjen e llogarisë;
  2. Me dokumentin mbi gjendjen e llogarisë hapet procedura trashëgimore pranë organit kompetent (gjykatë, noter), njësoj si për çdo lloj tjetër pasurie;
  3. Trashëgimtarët dorëzojnë kërkesë për pagesë dhe Vendimin për procedurën trashëgimore pranë Shoqërisë pensionale ku i ndjeri ka qenë anëtar;
  4. Pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm, mjetet u paguhen trashëgimtarëve ligjorë, të cilët marrin edhe njoftim me shkrim.

Në shtyllën e tretë nuk kryhet verifikim nëse dikush ka paraqitur kërkesë për pension familjar (e drejta e trashëgimisë në këtë shtyllë nuk lidhet me pensionin familjar). Pas pranimit të kërkesës nga trashëgimtarët, pagesa realizohet drejtpërdrejt në përputhje me aktin noterial të trashëgimisë.

Kursimi pensional – stabilitet për të gjithë familjen

Edhe pse shumëkush e sheh pensionin si një aspekt personal të moshës së pjekur, në thelb ai është shumë më tepër se kaq. Ai është një mënyrë për të ndërtuar një bazë financiare që mbron familjen në momente pasigurie, për të lënë një pasuri me vlerë reale dhe për të siguruar mbështetje që vazhdon edhe pas jush.

Kursimi pensional është pjesë e një historie më të madhe jetësore – një histori ku vendimet tuaja për stabilitet i ndihmojnë ata që i doni.

Mbikëqyrës i sigurimit pensional me financim kapital është Agjensioni për mbikëqyrjen e finansimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) www.mapas.mk tel. 02/32 24 229