Mbrapa

Me aksionin e djeshëm në Kumanovë shoqëritë pensionale mbollën gjithsej 120 fidanë

Shoqëritë pensionale dje kanë udhëtuar për në Kumanovë, në shkollën e mesme Pero Nakov. Aty krijuan “Parkun Pensional” të tetë me radhë në kuadër të fushatës “Mbill një dëshirë, për një të ardhme më të mirë”, me të cilin u mbollën gjithsej 120 pemë.

Në aksionet që janë realizuar deri më tani në 8 shkolla në të gjithë vendin, përfaqësuesit e shoqërive pensionale së bashku me nxënësit pastruan oborret e shkollave, përgatitën tokën dhe mbollën 15 fidanë gjetherënës të mesëm. Pas përfundimit të këtyre aktiviteteve, nxënësve iu dha përgjegjësia për t’u kujdesur për parqet e tyre si simbol i rolit aktiv që ata kanë në planifikimin e jetës dhe të ardhmes së tyre. 

Nga Shoqëria pensionale Sava SHA Shkup, KB shoqëria e parë pensionale dhe Shoqëria pensionale Trigllav Shkup sqarojnë se duan të vënë në pah paralelen midis efekteve afatgjate të mbjelljes së fidanëve dhe kujdesit që duhet t’u kushtohet atyre për t’u rritur dhe pasuruar mjedisin, me kursimet afatgjata për pensionim të cilat fillojnë që nga punësimi i parë dhe zgjasin deri në vitet e pjekurisë. Ata thonë se kujdesi për një pjesë të këtyre kursimeve është pikërisht i tyre dhe zgjat me dekada, por apelojnë se është e nevojshme që të gjithë ne si individë të sigurohemi që t’i formojmë ato kursime.

“Sistemet pensionale të vendeve të zhvilluara dhe shumë vendeve në zhvillim, siç është Maqedonia, po përballen me kërcënimin e trefishtë të rritjes së jetëgjatësisë së popullsisë, rënies së natalitetit dhe deficitit buxhetor. Sipas një analize nga Global Findex, e cila ofron të dhëna në nivel individual për përdorimin e produkteve financiare në më shumë se 140 vende, vetëm rreth një e katërta e të rriturve në mbarë botën po kursejnë për pleqëri. Masat për rritjen e besimit në sistemin financiar, si dhe masat për stimulimin e kursimeve për pleqërinë, me përfitime tatimore apo pagesa direkte shtesë nga buxheti i shtetit në llogaritë e pensioneve vullnetare të qytetarëve në mbarë botën, kanë rezultuar si masa jashtëzakonisht të dobishme dhe ndikojnë fortë në rritjen e interesit të publikut për të përmirësuar të ardhurat e tyre të ardhshme pensionale.

Kjo është arsyeja pse ne jemi sot këtu, për t’ju vënë në dukje më të rinjve se duhet të mendoni të caktoni një pjesë të të ardhurave tuaja të ardhshme për kursime afatgjata për pleqëri. Ashtu si këto pemë do të kontribuojnë me të vërtetë në ajër më të pastër pas 20 vitesh, kështu edhe kursimet e pensioneve duhet të formohen gradualisht, në afat të gjatë, gjatë dekadave”, tha në fjalimin e tij për nxënësit Zoran Gabedanov, Shef i Departamentit të Marketingut dhe Kujdesit për Anëtarësimin në Shoqërinë pensionale Sava SHA Shkup.

Shoqëritë pensionale shtojnë se janë tejet të lumtura që e gjithë fushata “Mbill një dëshirë, për një të ardhme më të mirë” u pranua pa rezerva nga drejtorët e shkollave, nxënësit, si dhe nga i gjithë publiku, i cili mbështeti arritjen e qëllimit për edukimin e të rinjve për përfitimet e anëtarësimit në fondin e pensioneve të detyrueshme dhe vullnetare nëpërmjet aktiviteteve informative, edukative dhe ekologjike. E gjithë kjo u jep atyre edhe më shumë motivim për të bërë përpjekje për t’i kthyer në traditë aksionet e tilla.

Me këtë rast të pranishmëve iu drejtua edhe drejtoresha e shkollës, Mila Zhibak Dimkovska.

“Si drejtoreshë e shkollës së mesme “Pero Nakov”, dua të shpreh mirënjohjen time për organizatorët e këtij manifestimi, të cilët na nderuan sot me praninë e tyre, por edhe me misionin e tyre, që shkolla jonë të jetë pjesë e një projekti, pjesë të një evenimenti të bukur, që shpresoj të kthehet në traditë. “Mbill një dëshirë, për një të ardhme më të mirë” është motoja që do të shënojë këtë ditë, një parollë e cila do prekë deri tek të gjithë ne.