Si të lexohet zarfi i gjelbër
Zarfi i gjelbër, të cilin çdo vit e merrni nga shoqëria juaj pensionale në formë të shtypur ose elektronike, ju mundëson një pasqyrë reale mbi të ardhmen tuaj dhe sigurinë financiare pas daljes në pension.
Në këtë raport vjetor për kursimet tuaja pensionale përfshihen të gjitha informacionet lidhur me shumën e mjeteve që keni në llogarinë tuaj pensionale, mënyrën se si ato janë investuar dhe çfarë kthimi është realizuar gjatë vitit të kaluar.
Gjendja e llogarisë suaj
Në pjesën e parë do të gjeni gjendjen totale të llogarisë suaj më 31 dhjetor të vitit të kaluar.
Ajo llogaritet sipas formulës: Shuma totale = numri i njësive kontabël × vlera e njësisë kontabël.
- Numri i njësive kontabël rritet me çdo pagesë të re në fond.
- Vlera e njësisë kontabël ndryshon çdo ditë – dhe varet kryesisht nga suksesi i investimeve.
Me kalimin e kohës, të dy këta faktorë zakonisht kanë tendencë rritjeje, që do të thotë se rriten edhe kursimet tuaja pensionale.

Pasqyrë e të gjitha pagesave
Në pjesën e dytë do të gjeni një tabelë me të gjitha pagesat dhe kthimet e realizuara gjatë vitit.
Çdo rresht në këtë tabelë paraqet datën, shumën dhe përshkrimin e transaksionit.
- Data kur është kryer pagesa ose kthimi i mjeteve nga llogaria e anëtarit
- Përshkrimi i transaksionit – kontribut i paguar, korrigjim etj. Për shembull, në rreshtin e fundit të tabelës sonë figuron shenja P202411, që tregon kontributin e paguar për muajin nëntor 2024. (Nëse në këtë fushë figuron “Korrigjim”, përshkrimi i korrigjimit do të jetë i detajuar. Nëse figuron “Kthim”, kjo nënkupton kthim të kontributeve, zakonisht për shkak të pagesave të gabuara.)
- Shuma e kontributit të paguar për muajin që përmendet në përshkrimin e transaksionit.
Informacionet mbi tarifat e ngarkuara dhe disa terma të sigurimit pensional të financuar me kapital (sigurimi i detyrueshëm pensional i financuar me kapital, kontribut, kthim, njësi kontabël dhe terma të tjerë) janë përfshirë në faqen e dytë të Raportit të kursimeve pensionale, ndërsa së fundmi janë të disponueshme edhe në online fjalorin tonë të termave pensionale.
Në këtë pjesë të zarfit të gjelbër përfshihet edhe një paraqitje grafike që krahason gjendjen e llogarisë suaj në fillim dhe në fund të periudhës për të cilën është përgatitur raporti, ku vizualisht mund të shihni se si kanë ndryshuar kursimet tuaja me kalimin e kohës.
Nëse me këtë sqarim nuk kemi arritur ta shpjegojmë mjaftueshëm raportin, gjithmonë mund t’i drejtoheni shoqërisë suaj pensionale ose MAPAS-it.
Qasje online në llogarinë tuaj
Në pjesën e fundit të këtij dokumenti në zarfin e gjelbër gjenden të dhënat për qasje online në llogarinë tuaj personale, ku mund të ndiqni kursimet tuaja pensionale në çdo kohë.
Me futjen e emrit të përdoruesit dhe fjalëkalimit (të cilat i merrni së bashku me raportin), mund të:
- shikoni raportin e detajuar të llogarisë suaj,
- kontrolloni dhe përditësoni të dhënat personale,
- ndiqni lëvizjen ditore të vlerës së njësisë kontabël.
Pasqyrë e portofolit të investimeve
Zarfi i gjelbër përmban edhe një dokument të dytë – informator për menaxhimin e fondit të hapur të detyrueshëm pensional. Ky raport përmban të dhëna mbi vlerën dhe pjesëmarrjen e mjeteve të fondit pensional të investuara në instrumente të ndryshme financiare, deri më 31.12 të vitit paraprak.
Në raport paraqiten qartë:
- Përqindja e mjeteve të akumuluara në fondin pensional të investuara në secilin instrument financiar
- Shuma e pasurisë totale të fondit pensional në fund të vitit për të cilin dorëzohet raporti
- Paraqitje grafike e strukturës së investimeve sipas valutave dhe sipas shteteve, që tregon se si shoqëria pensionale menaxhon rreziqet nga ndryshimet valutore
- Çdo anëtar i fondit pensional zotëron një pjesë proporcionale të kësaj shume, në varësi të madhësisë së mjeteve që ka në llogarinë e tij.
- Çdo anëtar merr pjesë në investimet në këto instrumente në mënyrë proporcionale me mjetet e tij.
Shoqëria pensionale ofron gjithashtu paraqitje grafike të strukturës së portofolit sipas grupeve të instrumenteve dhe sipas shteteve, grafikë të njësisë kontabël, si dhe të dhëna mbi komisionet e transaksioneve të paguara për menaxhimin e mjeteve.

Pse është e rëndësishme t’i lexoni raportet në zarfin e gjelbër?
Sepse ju jeni pronar i kursimeve tuaja pensionale.
Këto raporte ju mundësojnë një pasqyrë të qartë dhe transparente mbi mënyrën se si rriten mjetet tuaja, cilat tarifa janë aplikuar, çfarë kthimi është realizuar dhe ku janë investuar paratë tuaja.
Me leximin e rregullt të raporteve do të ndiqni të ardhmen tuaj pensionale, do t’i kuptoni lëvizjet e tregut dhe do të keni mundësi të bëni pyetje sa herë që diçka nuk ju është e qartë.
Kjo është mënyra më e mirë për të qëndruar të informuar dhe të sigurt se paratë tuaja po punojnë për ju.
Kontrolloni të dhënat tuaja
Për t’u siguruar që çdo vit do ta merrni zarfin e gjelbër, është e rëndësishme që të dhënat tuaja personale të jenë të sakta dhe të përditësuara.
Mund t’i kontrolloni dhe t’i përditësoni ato:
- online përmes llogarisë suaj personale,
- me telefon ose me postë,
- duke vizituar zyrën më të afërt të shoqërisë suaj pensionale.
Zarfi i gjelbër është pasqyra e stabilitetit tuaj financiar në të ardhmen. Hapeni, lexojeni dhe sigurohuni që i kuptoni kursimet tuaja pensionale.
Nëse diçka nuk ju është e qartë, shoqëria juaj pensionale është gjithmonë aty për t’ju ndihmuar.
Mbikëqyrës i sigurimit pensional me financim kapital është Agjensioni për mbikëqyrjen e finansimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) www.mapas.mk tel. 02/32 24 229, www.mapas.mk