Iu përgjigjemi pyetjeve tuaja – pjesa e dytë
Kuptimi i detajeve mbi fondet pensionale dhe sigurimet është kyç për sigurinë financiare. Prandaj, pas pjesës së parë të përgjigjeve, vazhdojmë t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja që na i keni dërguar përmes formularit digjital “Bëj pyetje për shoqëritë pensionale”. Këtë herë, diskutojmë mbi tema si trashëgimia e mjeteve, kushtet për pensionin familjar dhe çfarë ndodh me paratë tuaja në rast falimentimi të shoqërisë pensionale, me qëllim të ofrimit të informacionit të qartë dhe të dobishëm për të gjitha aspektet e sigurimit pensional.
A mund të trashëgoj mjetet që kam paguar në shtyllën e tretë?
Mjetet tuaja në shtyllën e tretë janë të trashëgueshme. Nëse ju ndodh diçka, paratë që keni kursyer do t’u kalojnë më të afërmve tuaj. Gjithashtu, nëse pësoni një aftësi të kufizuar para daljes në pension, do të keni mundësi të aksesoni mjetet tuaja më herët, duke siguruar një të ardhur të rëndësishme shtesë. Më shumë informacion mbi shtyllën e tretë pensionale mund të gjeni në këtë link.
Cilat janë kushtet për përfitimin e pensionit familjar nga një prind i ndjerë?
Fëmijët përfitojnë pension familjar: Deri në moshën 15 vjeçare, dhe nëse janë në shkollim, deri në moshën 26 vjeçare.
Si fëmijë në shkollim, sipas këtij ligji, konsiderohet nxënësi në arsimin fillor, arsimin e mesëm, në trajnime profesionale apo punësimi, studenti në një institucion të arsimit të lartë dhe personat në studime pasuniversitare, për aq kohë sa kanë statusin e nxënësit apo studentit sipas statutit të institucionit përkatës arsimor deri në moshën 26 vjeçare.
Për më shumë detaje lidhur me pensionin familjar, mund të konsultoni Ligjin për SPI, veçanërisht kapitullin për Pensionin Familjar.
Nuk e kuptoj planin pensional për personat juridikë…
Plani pensional për personat juridikë është mundësia për formimin e një skeme profesionale pensionale nga punëdhënësi. Në këtë skemë mund të marrin pjesë vetëm personat që janë të punësuar me marrëdhënie të rregullt pune në kompaninë që ka krijuar skemën profesionale pensionale.
Me organizimin e një skeme pensionale brenda fondit pensional vullnetar, kompanitë mund të përfitojnë disa avantazhe, si përfshirja e këtij produkti në sistemin e shpërblimit të punonjësve dhe përfitimi i lehtësirave tatimore sipas Ligjit për Tatimin mbi Fitimin.
Shpenzimet mbi bazën e kontributit të paguar në fondin pensional vullnetar gjatë një viti kalendarik janë të njohura si shpenzime të zbritshme tatimore, deri në shumën e dy pagave bruto mesatare mujore të paguara vitin e kaluar në RMV.
Si mund të zëvendësoj Zarfin e Gjelbër me njoftim përmes email-it?
Nëse jeni anëtar i shtyllës së dytë pensionale, mund të zgjidhni një mënyrë më të lehtë dhe më të përshtatshme për të pasur informacion të plotë mbi gjendjen e mjeteve në llogarinë tuaj individuale, duke marrë raportin tuaj përmes email-it. Këtë mund ta bëni thjesht duke plotësuar Formularin për njoftim të anëtarëve përmes postës elektronike, i cili duhet dorëzuar te shoqëria juaj pensionale.
Metodën e marrjes së raportit mbi gjendjen e mjeteve në llogarinë individuale mund ta ndryshoni edhe me një telefonatë në shoqërinë pensionale ku jeni anëtar.
Çfarë do të ndodhë me paratë e mia nëse falimenton shoqëria pensionale ku kursej për pension?
Llogaria e shoqërisë pensionale nuk është e lidhur me llogaritë e anëtarëve në fondet pensionale të financuara me kapital, pra mjetet e anëtarëve ruhen në një Bankë Kujdestare. Në rast falimentimi të një shoqërie pensionale, Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional të Financuar me Kapital – MAPAS, merr përsipër administrimin e atij fondi.