Iu përgjigjemi pyetjeve tuaja – pjesa e parë
Përgjigje ndaj pyetjeve më të shpeshta rreth pensioneve
Iu përgjigjemi pyetjeve më të shpeshta që kemi marrë përmes formularit tonë digjital “Bëj pyetje për shoqëritë pensionale”. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për verifikimin e mjeteve të kursyera, zgjedhjen e një shoqërie pensionale apo kuptimin e përparësive të shtyllave të ndryshme pensionale, besojmë se këto përgjigje do t’ju ndihmojnë të merrni vendimet më të mira për të ardhmen tuaj.
Si mund të kontrolloj sa mjete kam kursyer deri tani për pension?
Verifikimin e mjeteve tuaja të kursyera deri tani mund ta bëni duke kontaktuar shoqërinë pensionale që menaxhon fondin pensional në të cilin jeni anëtar. Gjithashtu, mund të kërkoni qasje digjitale në llogarinë tuaj pensionale për të pasur informacion në çdo kohë.
- Triglav Shoqëria Pensionale SHA Shkup
- Sava Shoqëria Pensionale SHA Shkup
- KB Shoqëria e Parë Pensionale SHA Shkup
Si mund të bëhet një kalkulim i thjeshtë për pensionet?
Një nga pyetjet më të shpeshta lidhet me mënyrën se si mund të bëni një kalkulim të pensionit tuaj. Për shembull: Nëse depozitoj 30,000 denarë në muaj për 15 vite, sa pension do të marr? Përgjigjja është se një projeksion më të saktë për kalkulimin e pensionit nga sigurimi pensional i financuar me kapital mund ta merrni duke kontaktuar shoqërinë pensionale në të cilin jeni anëtar/e ose dëshironi të bëheni.
Si mund të zgjedh shoqërinë pensionale që do të menaxhojë pensionin tim?
Pas punësimit të parë, FSPI ju cakton përkohësisht në mënyrë rastësore në njërën nga tre shoqëritë pensionale. Nëse nuk ju pëlqen caktimi i bërë, brenda 90 ditëve keni të drejtë të lidhni marrëveshje me shoqërinë pensionale që dëshironi të menaxhojë mjetet tuaja. Gjatë zgjedhjes së shoqërisë pensionale, këshillohet të kontaktoni të gjitha shoqëritë, të njiheni me shërbimet që ofrojnë, me ekipin që menaxhon mjetet tuaja dhe me historikun e shoqërisë.
Kur dhe si mund të shfrytëzohen mjetet e paguara në shtyllën e dytë pensionale?
Të gjitha detajet për shtyllën e dytë pensionale, përfshirë kushtet për shfrytëzimin e mjeteve të kursyera, mund t’i gjeni në këtë lidhje.
Çfarë përparësish ofron shtylla e tretë krahasuar me kursimet në bankë, depozitë apo sigurim jetësor?
Fondi pensional vullnetar është një lloj i veçantë produkti financiar dhe ndryshon nga depozitat bankare apo sigurimi jetësor. Sigurimi pensional vullnetar i financuar me kapital ka për qëllim kryesor plotësimin e pensionit nga shtylla e parë dhe e dytë. Mjetet në shtyllën e tretë investohen në periudhë afatgjatë për të arritur një kapitalizim më të lartë të shumës së ndarë nga anëtari.
A do të harmonizohen pensionet për ata që do të dalin në pension pas marsit 2025?
Pjesa e pensionit që lidhet me shtyllën e parë harmonizohet sipas të gjitha rregullave ligjore për harmonizim. Për ata që do të dalin në pension pas datës së harmonizimit në mars 2025, harmonizimi i parë do të bëhet në datën e ardhshme të harmonizimit, pra nuk do të përfitojnë harmonizimin në mars 2025.
*Pjesë nga LIGJI PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT PËR SIGURIMIN PENSIONAL DHE INVALIDOR, Neni 18, paragrafi 3 (Gazeta Zyrtare e RMV, nr. 193, datë 18.9.2024): “Më 1 mars 2025 të gjitha llojet e pensioneve të realizuara sipas këtij ligji deri më 28 shkurt 2025 do të rriten me 2,500 denarë.”