Si dhe pse shoqëritë pensionale investojnë kursimet e tua
A e di çfarë ndodh me kontributet që i paguan punëdhënësi yt dhe ku shkojnë kursimet e tua pensionale?
Çdo muaj, nga paga jote bruto ndahen 18.8% kontribute për pension, prej të cilave 12.8% shkojnë në shtyllën e parë – për pensionistët aktualë, ndërsa 6% shkojnë në shtyllën e dytë, në llogarinë tënde individuale në fondin pensional që ke zgjedhur.
Mjetet që shkojnë në shtyllën e dytë investohen me qëllim që të rriten dhe të të sigurojnë një pension të qëndrueshëm në të ardhmen. Me çdo pagesë, fondet investohen në tregje të ndryshme dhe në instrumente të ndryshme financiare, në përputhje me rregulloret ligjore dhe strategjinë e definuar të investimeve, për të siguruar një kthim të qëndrueshëm.
Ku dhe si investohen mjetet
Fondet pensionale i shpërndajnë mjetet në instrumente të ndryshme financiare për të ulur rrezikun dhe për të siguruar rritje të qëndrueshme. Kjo zakonisht përfshin:
- obligacione dhe letra shtetërore vendase
- depozita bankare
- aksione të kompanive vendase dhe të huaja
- fonde investimi vendase dhe të huaja
Një diversifikim i tillë e mbron vlerën e mjeteve nga rëniet e mundshme në instrumente të caktuara të tregut financiar.
Pse është i rëndësishëm investimi
Sa më gjatë të investohen mjetet, aq më i madh është efekti i kthimit – paratë krijojnë para të reja. Edhe shumat e vogla, nëse investohen rregullisht, me kalimin e viteve mund të rriten ndjeshëm.
Ky është në fakt procesi i kapitalizimit – shndërrimi i të ardhurave në kapital shtesë. Kontributet dhe kthimet grumbullohen në llogarinë tënde individuale, ndërsa fitimi i realizuar reinvestohet, gjë që mundëson rritjen e fondeve me kalimin e kohës.
Siguria dhe transparenca e kursimeve të tua
Mjetet e tua nga shtylla e dytë janë plotësisht të ndara nga mjetet e shoqërive pensionale dhe ruhen në banka kujdestare të pasurisë, nën mbikëqyrjen e rreptë të Agjensionit për mbikëqyrjen e finansimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) .
Përveç sigurisë, transparenca është një tjetër përparësi e fortë e sistemit. Çdo anëtar i fondit të detyrueshëm pensional ka të drejtë të ketë qasje të rregullt në llogarinë e vet – online, përmes aplikacionit ose nëpërmjet raportit vjetor në “zarfin e gjelbër”.
Në këtë raport paraqiten:
- shuma totale e mjeteve në llogarinë tënde individuale
- kthimi mesatar vjetor (rritja) e mjeteve
- të gjitha tarifat për menaxhimin e fondit
- datat dhe shumat e të gjitha pagesave mujore
Falë këtij sistemi, çdo i siguruar mund të kontrollojë në çdo kohë si po rriten kursimet e tij pensionale dhe të bindet se fondet menaxhohen në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme.
Pse është e rëndësishme ta dish këtë?
Shuma e mjeteve që ndahen në shtyllën e dytë përcaktohet paraprakisht si përqindje e pagës bruto, megjithatë informimi yt është kyç për të kuptuar çfarë ndodh me këto fonde pasi ato kalojnë në llogarinë tënde personale në fondin pensional të shtyllës së dytë – ku ruhen, si investohen dhe pse janë të sigurta. Kuptimi i sistemit të mundëson të kesh besim në proces dhe të ndjekësh ecurinë e kursimeve të tua pensionale.
Mbikëqyrës i sigurimit pensional me financim kapital është Agjensioni për mbikëqyrjen e finansimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) www.mapas.mk tel. 02/32 24 229