Skip to content
18.09.2025

Fushatë e re edukative me fokus në 20-vjetorin e reformimit të sistemit pensional“Mbill një dëshirë për një të ardhme të qëndrueshme”

Sot, në hotelin “Marriott” në Shkup, u mbajt një konferencë për shtyp, me të cilën zyrtarisht filloi fushata e pestë edukative “Mbill një dëshirë”, e organizuar nga KB Shoqëria e Parë Pensionale SHA Shkup, Sava Shoqëria Pensionale SHA Shkup dhe Triglav Shoqëria Pensionale SHA Shkup, me mbështetjen e Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional të Financuar me Kapital – MAPAS.

Këtë vit, fushata zhvillohet nën moton “Mbill një dëshirë për një të ardhme të qëndrueshme”, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të sistemit të reformuar pensional në vend, i cili siguron siguri individuale, transparencë dhe stabilitet afatgjatë për qytetarët.

Jubileu i 20 viteve nga reforma e sistemit pensional në vend ishte gjithashtu arsye për organizimin e një konference ndërkombëtare, në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues nga tri shoqëritë pensionale, si dhe mysafirë eminentë dhe përfaqësues nga vendi dhe jashtë tij.

Ngjarja, e cila do të mbahet më 12 nëntor të këtij viti në hotelin “Marriott”, ka për qëllim të theksojë rëndësinë dhe suksesin e reformës, duke trajtuar tema që lidhen me sfidat e ardhshme, por edhe me mundësitë në fushën e sigurimit pensional. Ajo do të mundësojë gjithashtu shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe njëkohësisht do të kontribuojë në forcimin e transparencës dhe besimit në sistemin pensional në vendin tonë.

Përmes një sërë aktivitetesh dhe përmbajtjesh edukative, fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e anëtarësimit në fondet pensionale të detyrueshme dhe vullnetare, si dhe të nxisë kulturën e kursimit pensional të hershëm dhe të përgjegjshëm.

Në konferencën për shtyp u drejtua Remzi Bajrami, Kryetar i Këshillit të Ekspertëve në MAPAS, i cili foli për efektet e reformës së sistemit pensional dhe rezultatet e arritura deri më tani.

“Është një nder për mua që sot, me krenari, mund të flasim për 20 vite nga fillimi i zbatimit të reformës së sistemit pensional në vendin tonë, si dhe për fillimin e funksionimit të shoqërive pensionale. Kjo reformë përfaqëson një nga ndryshimet më të rëndësishme ekonomiko-sociale në Maqedoninë e Veriut të pavarur, pasi solli një model të ri të mbrojtjes së qytetarëve në moshën e tyre të tretë – një model që kombinon sigurinë, stabilitetin dhe përgjegjësinë individuale.

Sigurimi pensional i financuar me kapital – ose shtylla e dytë, siç njihet nga publiku – gjatë dy dekadave të fundit ka dëshmuar se është një nga mekanizmat më të sigurta për mbrojtjen e pensioneve të ardhshme. Sot, kemi mbi 620.000 anëtarë në shtyllën e dytë, ndërsa mjetet e akumuluara në llogaritë e tyre arrijnë mbi 178 miliardë denarë. Kjo do të thotë se çdo anëtar ka kursimin e tij personal, kapitalin e vet që investohet dhe rritet me kalimin e kohës.

Krahas shtyllës së dytë, veçanërisht e rëndësishme është të përmendet edhe shtylla e tretë pensionale – sigurimi pensional vullnetar i financuar me kapital. Kjo shtyllë u ofron mundësi qytetarëve, por edhe punëdhënësve, që përmes pagesave shtesë të krijojnë një siguri edhe më të madhe për të ardhmen. Sipas të dhënave më të fundit, në shtyllën e tretë pensionale janë rreth 35.000 anëtarë, ndërsa mjetet totale të akumuluara në fondet e kësaj shtylle arrijnë afërsisht 4,7 miliardë denarë.

Vesna Stojanovska, Kryetare e Bordit Drejtues të KB Shoqërisë së Parë Pensionale SHA Shkup, theksoi rolin e shoqërive pensionale në sigurimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për anëtarët dhe pensionistët e parë, duke nënvizuar se roli i tyre nuk është vetëm menaxhimi i shifrave dhe mjeteve, por krijimi i sigurisë – sigurisë që çdo denar i investuar do të kontribuojë për një pleqëri dinjitoze.”

“Ne kemi ndërtuar një sistem pensional modern, transparent dhe të qëndrueshëm. Një sistem që menaxhon llogaritë personale, individuale të të siguruarve. Me politika investimi të kujdesshme dhe të provuara, krijohet një themel i fortë për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme,” – theksoi Stojanovska.

Snejzana Stankoviç, Kryetare e Bordit Drejtues të Sava Shoqërisë Pensionale SHA Shkup, me rastin e 20-vjetorit të reformave të sistemit pensional, njoftoi formimin e një Asociacioni të shoqërive pensionale, nën organizimin e të cilit do të mbahet një konferencë ndërkombëtare.

“Me krenari të veçantë, sot, 20 vjet pas reformave të sistemit pensional si përgjigje ndaj lëvizjeve demografike negative të pritura, të cilat tani janë tashmë të dukshme, kur kemi tre shoqëri pensionale që menaxhojnë fondin e dytë të detyrueshëm dhe fondin e tretë vullnetar, njoftojmë themelimin e Asociacionit të shoqërive për menaxhimin e fondeve pensionale të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Asociacioni do të jetë një platformë për bashkëpunim, dialog profesional dhe veprim të përbashkët. Ai do të jetë zëri i shoqërive pensionale – por edhe ruajtësi i interesave të të gjithë pensionistëve aktualë dhe të ardhshëm. Asociacioni do të punojë për përmirësimin e rregulloreve dhe zhvillimin e standardeve etike, vetëm në dobi të interesave të anëtarëve dhe të pensionistëve të fondeve pensionale detyruese dhe/ose vullnetare, që menaxhohen nga shoqëritë pensionale.

Në këtë kontekst, me kënaqësi njoftojmë edhe konferencën ndërkombëtare, e cila do të mbahet më 12 nëntor në Shkup, në hotelin Marriott. Arsyeja e konferencës është e rëndësishme:
20 vjet nga reforma pensionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut,” – shpjegoi Stankoviç.

Marjan Nikolovski, Anëtar i Bordit Drejtues të Triglav Shoqërisë Pensionale SHA Shkup, prezantoi aktivitetet dhe përmbajtjet e reja që janë pjesë e fushatës së këtij viti.

“Tematika që po hapim sot – stabiliteti financiar – është një çështje që na prek të gjithë, pa dallim moshe, profesioni apo stil jetese. Pikërisht për këtë arsye, kemi ndërmarrë një përpjekje serioze dhe të vazhdueshme për edukim, informim dhe inkurajim të qytetarëve që të luajnë një rol proaktiv në planifikimin e tyre financiar.

Kjo fushatë është rezultat i një vizioni dhe përkushtimi të përbashkët – të krijojmë një mjedis ku secili të ketë akses në informacione të rëndësishme, të kuptueshme dhe praktike, kur bëhet fjalë për financat personale, kursimin pensional dhe planifikimin e së ardhmes.

I inkurajojmë të gjithë të bashkohen, të ndajnë, të pyesin dhe të mësojnë. Të flasim për financat – jo si tabu, por si një temë që është pjesë e realitetit dhe e së ardhmes sonë të përditshme,” – theksoi Nikolovski në fjalimin e tij.

Gjatë ngjarjes u promovua edhe videoja kryesore e fushatës, si dhe mjeti i ri edukativ – fjalori i termave, i cili është i disponueshëm në faqen zyrtare të internetit.

Me këtë iniciativë, shoqëritë pensionale dhe MAPAS vazhdojnë traditën e fushatave edukative të përbashkëta, e cila zgjasin tashmë 10 vite.

Gjatë viteve të fundit, kjo fushatë është zhvilluar përmes temave për qëndrueshmërinë, bashkësinë dhe përgjegjësinë shoqërore, me qëllim të frymëzojë angazhimin aktiv dhe të përcjellë mesazhin se investimet e sotme krijojnë një të ardhme të qëndrueshme.

Që nga fillimi i reformës e deri tani, është vënë re një rritje e vazhdueshme e numrit të anëtarëve në shtyllën e dytë dhe të tretë pensionale, gjë që tregon për një rritje të ndërgjegjësimit, besimit dhe interesit të qytetarëve ndaj sistemit pensional.

Të gjitha aktivitetet e lidhura me fushatën “Mbjell një dëshirë për një të ardhme të qëndrueshme” janë të disponueshme në faqen e internetit https://penzija.mk/sq/fjalor/

Mbikëqyrësi i sigurimit pensional të financuar me kapital është Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional të Financuar me Kapital (MAPAS), telefoni: (02) 3224 229, www.mapas.mk.